Bardhi në Këshillin e Integrimit: Rezultat zero për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë

TIRANË, 20 tetor /ATSH – I. Vata/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, vlerësoi si të dështuar Reformën në Drejtësi në 2 objektivat madhore, eficienca dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.

Duke folur në Këshillin e Integrimit, Bardhi tha se Reforma në Drejtësi nuk ka rezultate për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë.

“Për fat të keq edhe përse kemi hyrë në vitin e gjashtë të zbatimit të Reformës në Drejtësisë ka zero rezultate në raport me të dy objektivat madhore që kishte Reforma në Drejtësi. Jam i sigurt se nëse vazhdojmë me të njëjtin njësi matëse apo vlerësuese për arritjet e reformës në Drejtësi edhe kur të jemi në vitin e 16-të të zbatimit të Reformës, do të vazhdojmë të quajmë “sukses” faktin që po plotësojmë gjykatat e Apelit. Siç merr në konsideratë edhe raporti i Progresit, Gjykata e Apelit ka një numër sa gjysma e gjyqtarëve që do të duhej të kishin dhe kjo ka sjellë të kundërtën e asaj që prisnin qytetarët, një drejtësi me cilësi dhe në kohë të shpejtë”, tha Bardhi në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.