30-vjetori i UNDP në Shqipëri, Rama: Rol të rëndësishëm në zhvillimin e demokracisë shqiptare


TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në 30 vite shumë gjëra janë bërë nga bashkëpunimi mes UNDP dhe qeverisë, teksa shtoi se, UNDP mbetet një faktor me një rëndësi të veçantë në jetën e vendit.

Duke folur në ceremoninë e 30-vjetorit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (United Nations Development Programme) në Shqipëri, Rama u shpreh se, “Shqipëria hyri në Kombet e Bashkuara në dhjetor të 1955-ës, por u deshën 36 vjet që Shqipëria të hynte në një marrëdhënie domethënëse me OKB-në përmes programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, ose më saktë, me UNDP-në. Dhe në atë kohë qëllimi i vetëm i UNDP-së ishte t’i jepte sa të mundej oksigjen vendit në një moment ndryshimi dramatik që bashkë me lirinë kishte sjellë edhe një mal me sfida dhe me vështirësi”.

“Është vërtetë thuajse e paimagjinueshme që në harkun e një jete ne të kemi pasur fatin të shohim dy botë kaq të ndryshme njëra me tjetrën. Botën e të shkuarës, kur edhe pse ishim anëtarë të OKB-së ne s’kishim asnjë marrëdhënie me Programin për Zhvillim të OKB-së. Dhe botën e sotmes dhe të së ardhmes njëkohësisht, kur ne po në harkun e një jete jemi anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Rama.

“Janë shumë gjëra që janë bërë këto 30 vite nga ky bashkëpunim mes programit dhe qeverisë dhe për hir të së vërtetës ajo që bën përshtypje kur shikon të gjithë listën shumë të gjatë të gjërave të bëra është fakti se programi ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet më kritike, më kyçe të këtij procesi kaq të jashtëzakonshëm të transformimit të vendit nga një diktaturë totalisht e mbyllur, në një demokraci në ndërtim e sipër”, theksoi Rama.

“Faktikisht programi ka qenë i pranishëm me hapjen e shkollës së parë publike të administratës. Programi ka qenë i pranishëm në momentin e trazirave të mëdha të vitit 1997, kur përmes UNDP-së u pilotua nisma e armëve në këmbim të zhvillimit”, shtoi Rama.

“Programi ka qenë i pranishëm në periudhën e kthesës historike të Tiranës, kur pas një 10-vjeçari kaosi të jashtëzakonshëm dhe praktikisht deformimi urban të paimagjinueshëm, si rezultat i prurjeve të mëdha demografike drejt Tiranës dhe i mungesës së plotë të ligjit dhe të rregullit, ne u futëm në një rrugë të re, duke u përpjekur të rikthejmë qytetin tek njerëzit, duke u përpjekur t’u japim njerëzve sensin e hapësirës publike, jo më të ndodhur aty si rezultat i mungesës së plotë të pronës private, por të hapësirës publike si një hapësirë e ndërmjetme mes pronave private të njerëzve”, theksoi Rama.

“Falë programit ne kemi pasur jo thjesht mundësinë të bëjmë disa ndërhyrje të rëndësishme në aspektin financiar, por kemi pasur mundësinë të ndërveprojmë me një organizatë, e cila më shumë sesa paratë ka si vlerë të sajën, në këndvështrimin tim, dijen dhe aftësinë për të transferuar dije në funksion të gjithçkaje që ka të bëjë me organizimin. Që nga organizimi i një koncepti në një projekt, tek rruga e zbatimit të një projekti. Gjëra të cilat sot mbase mund të na duken sikur kanë qenë aty gjithmonë, por në fakt nuk kanë qenë aty gjithmonë”, u shpreh Kreu i Qeverisë.

“Na është dashur të gjitha këto gjëra ne t’i mësojmë njësoj si fëmijët ‘Abetaren Hap Pas Hapi’ dhe në këtë rast, jo 1, 2, 3 apo 100 individë, por një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në një kurs të vërtetë kundër analfabetizmit në raport me demokracinë dhe jo me letërsinë. Këtu besoj që programi ka një dorë që është e paharrueshme në historinë e vendit tonë”, tha Rama.

Po ashtu, shtoi Rama, “programi ka qenë i pranishëm edhe në disa momente të rëndësishme kur na është dashur të konceptojmë reforma me impakt të gjerë dhe të thellë, që nga reforma territoriale administrative, deri tek reforma e drejtësisë. Pa harruar se ka qenë i pranishëm kur ne na është dashur të përballemi me çështjen e përmbytjeve, duke u bërë një urë lehtësisht e kalueshme mes BE-së dhe qeverisë shqiptare, siç është sot faktikisht pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm rindërtimi si pasojë e tërmetit, ku programi mundëson kalimin në një urë të të gjithë kontributeve të donatorëve të ndryshëm dhe në mënyrë të posaçme të donatorit më të madh në këtë rast, që është BE-ja”.

“Për të gjitha këto, besoj që programi mbetet një faktor me një rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë, në jetën e shoqërisë sonë, në jetën e politikës, në sensin e shoqërimit të të gjithë përpjekjeve të aktorëve vendimmarrës në rrugën e jetësimit të vendimeve të tyre, që nga vendimet për reformat, deri tek vendimet që lidhen me adresimin e nevojave deri dhe dramatike, siç ishin ato të viteve ’90-të, ato të fillimviteve 2000, apo siç janë ato që janë edhe sot para syve tanë, kur kemi parasysh se ende kemi akoma punë për të bërë për të përmbyllur përfundimisht programin e madh të rindërtimin dhe të lënies pas të një tragjedie duke krijuar mundësinë që gjithçka që u shkatërrua, të rindërtohet dhe të ketë për njerëzit kushte shumë më të mira se ç’kishte përpara se të shkatërrohet”, nënvizoi Rama.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.