Mbi 36 mijë mjete nuk kaluan testin e kontrollit teknik

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Nga data 31 maj mbi 130 mijë mjete janë paraqitur për të kryer kontrollin teknik, nga të cilat rreth 28 % e mjeteve rrugore, ose 36,610 nuk e kaluan testin e kontrollit teknik.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi se defektet në sisteme amortizimi, drejtimi, stabilizimi, frenimi, gomina, tuba dhe rrjedhje e gazra ndotëse u vërejtën në më shumë se gjysmën e mjeteve të mbetura në test.

“Rrugë e qytete më të pastra dhe më të sigurta, sepse mjetet e rrezikshme për jetën e drejtuesve të mjeteve, por edhe të pasagjerëve e përdoruesve të tjerë të rrugës nuk e kalojnë dot më testin e kontrollit teknik”, bën të ditur DPSHTRR.

Po ashtu, DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve të riparojnë në afat ligjor mjetet e tyre dhe t’i kontrollojnë ato para se të dalin në rrugë, pasi Kodi Rrugor i bën ata përgjegjës nëse dalin në qarkullim me mjet me mangësi teknike ose funksionale.

DPSHTRR kujton se për këtë ka edhe penalizime që janë masa, gjoba, pezullim licencash dhe deri në nxjerrje të përhershme të mjetit nga qarkullimi.

Në fund të vitit 2020, numri i mjeteve të regjistruara në qarkullim në të gjithë vendin llogaritej 676,811, 60 % ose 254,908 më shumë krahasuar me vitin 2010.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.