Krijohet Qendra e Teknologjisë së Informacionit për sistemin e drejtësisë

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Sot u zhvillua takimi i parë i bordit drejtues të Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, njoftoi Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Ky takim shënoi krijimin e Qendrës, si institucion publik, me personalitet juridik dhe ka për mision caktimin e standardeve dhe politikave në përputhje me rregullat për politikat e përgjithshme shtetërore për sistemin e teknologjisë së informacionit dhe të dhënave (pajisje dhe programe), duke siguruar përmbushjen e nevojave të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Bordi drejtues deklaroi ngritjen e tij ku në përbërje janë Naureda Llagami, kryetare, Vatë Staka, zëvendëskryetar, Artur Metani, anëtar, Skënder Dauti, anëtar, Luan Abazi, anëtar, Gentian Deva, anëtar, Sotir Kllapi, anëtar, Genti Xholi, anëtar, Elsa Ulliri, anëtare, Erjon Bani, anëtar, Julian Haxhiu, anëtar.

Në vijim të vendimmarrjes së mësipërme u deklarua krijimi i Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë, si momenti nga i cili fillojnë efektet juridike dhe funksionet e këtij institucioni, i cili angazhohet të sigurojë përmbushjen e plotë të misionit të Qendrës, bazuar në parimet e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të eficiencës.

Në përfundim, Bordi vendosi shpalljen e procedurave për rekrutimin e Drejtorit Ekzekutiv në Qendrën e Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.