Korridori 8, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut memorandum bashkëpunimi

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Në Sofje të Bullgarisë u nënshkrua sot memorandumi tripalësh mes Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për sa i takon Korridorit 8, një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit mes tre vendeve, për një ndër projektet më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se nënshkrimi i memorandumit për transportin e qëndrueshëm në Korridorin e 8-të është një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit midis Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë.

“Prej kohësh ne kemi punuar për të plotësuar të gjithë komponentët e këtij korridori, si një nga korridoret më të rëndësishme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Tashmë me të gjitha projektet që kemi nisur si në fushën e hekurudhave, ashtu edhe në atë të rrugëve, por pa dyshim edhe porti i ri i Durrësit, na japin sigurinë se zhvillimi infrastrukturor do të jetë një sukses në të ardhmen”, tha ministrja Balluku.

Ministrja tha se me homologët e dy vendeve të tjera kishte diskutuar lidhur me hapat në të ardhmen.

“Kemi rënë dakord që një axhendë e përbashkët për të promovuar Korridorin e 8-të si një nga korridoret më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik jo vetëm për vendet tona, por edhe për vendet e tjera të rajonit, është një domosdoshmëri për axhendat e të tre ministrive të Infrastrukturës në të ardhmen”, tha Balluku.

Ajo e vlerësoi të rëndësishëm bashkëpunimin edhe sa i përket sigurimit të mbështetjes financiare nga institucionet financiare europiane.

“Kemi folur për detaje, kemi dakordësuar sesi së bashku mund të ndikojmë institucionet europiane financiare për mbështetjen e projekteve tona, sidomos atë të hekurudhave, si një nga mënyrat më eficiente të transportit bazuar dhe në axhendën e investimeve të Bashkimit Europian. Kështu që së shpejti ne do të kemi një takim tjetër edhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Tiranë për të vazhduar më tej me të gjitha hapat për realizimin e këtij projekti të madh i cili do të ndryshonte jetën e qytetarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Balluku.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.