Korçë, arrestohet 39-vjeçari i shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Policia ka vënë në pranga një 39-vjeçar të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Kontrata”, i finalizuar 3 muaj më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 06.07.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në​ burg” për veprën penale​ “Falsifikimi i dokumenteve”, në lidhje me ngjarjen e datës 14.07.2021, ku u finalizua operacioni “Kontrata”, si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë.

Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.