Eksperienca në fshat, “Serenatat” eksplorojnë zonat rurale Korçë-Pogradec

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Janë 40 të rinj e të reja të përfshirë në projektin “Në Fshat” një nismë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural financuar nga qeveria gjermane, nëpërmjet GIZ në Shqipëri, që po provojnë jetën në fshat, për një periudhë 2-javore duke eksploruar natyrën, historinë si dhe praktika të ndryshme pune që ofrojnë zonat rurale.

Këtë javë, të rinjtë ose grupi i vetëquajtur i “Serenatave” ka shijuar në maksimum gjithçka mund t’i ofronte eksperienca “Në Fshat”, në rajonin Korçë-Pogradec.

Ata kanë takuar banorët lokalë, kanë punuar njësoj si fermerët e zonës në bletari, në serra, peshkim apo në baxhot e prodhimit të bulmetit dhe kanë eksploruar çdo cep të rajonit Korçë – Pogradec, me bukuritë e veçanta natyrore që bart zona.
Sipas programit të përcaktuar, grupi i të rinjve kaloi ditën e parë në fshatin Boboshticë,  ditën e dytë në fshatin Drenovë, të tretën ditë në fshatin Dishnicë, më pas në Zaroshkë dhe ditën e pestë qëndruan në fshatin Vithkuq.

Përgjatë 32 ditëve 260 studentë aplikuan nga e gjithë Shqipëria, për t’u bërë pjesë e këtij projekti, nga të cilët u përzgjodhën 40 studentë.

Projekti sjell një perspektivë të re për studentët, që do të kontribuojnë në komunitetin rural.

“Ndihmo një banor në fshat” apo promovimi i potencialit turistik në fshatra janë eksperienca që u ofrohen të rinjve për një periudhë dyjavore në 11 qarqe të vendit: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Kolonjë, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë.

GIZ Albana dhe MZHBR iu drejtua studentëve që po kërkojnë një eksperiencë të re, e cila vjen në ndihmë të komunitetit rural në Shqipëri.

Projekti “Në Fshat” synon të ndihmojë zhvillimin e turizmit rural duke krijuar një urë lidhëse midis të rinjve shqiptarë me banorët dhe veprimtarinë e 4 zonave të përzgjedhura:

– Shkodër / Kukës;

– Dibër / Lezhë / Elbasan;

– Korçë / Kolonjë / Pogradec;

– Gjirokastër / Përmet / Tepelenë.

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.