Akuzat e PD-së, Gjiknuri: Nuk ka pasur shitje gazi nga “Albpetrol”

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri reagoi sot, pas akuzave të Partisë Demokratike për një skemë korruptive për shitjen e 3 milionë metra kub gaz industrial nga vendburimet Cakran-Mollaj/Ballsh-Hekal, në kohën kur ai ka qenë ministër i Energjetikës.

“Me sa duket kam nisur ta bëj mirë punën e re në parti, përderisa u rivura në shënjestër nga ata që nuk dinë të bëjnë punën e tyre. Të paktën të dinin që “Albpetroli” nuk ka shitur ndonjëherë gaz, se as blerës nuk ka. Nuk po pretendon njeri që të nxirrnin kontratën e shitjes, sepse ajo nuk ka se si ekziston, kur shitje s’ka pasur”, tha Gjiknuri.

“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, jo për të sqaruar ‘idiotët e dobishëm’, që publikojnë lajme të rreme apo sponsorizojnë ato ekonomikisht dhe politikisht, vlen sqarimi sa më poshtë: Vendburimi Cakran-Mollaj është një vendburim nafte, ku gjatë procesit të prodhimit të naftës bruto, çlirohet njëkohësisht edhe gaz shoqërues (gaz me parametra të ulët). Ky gaz, në mungesë të konsumatorit, digjet rregullisht në atmosferë përmes pajisjeve speciale. “Albpetrol”, në vitin 2017, tentoi t’i jepte vlerë ekonomike këtij produkti, duke e shitur përmes një ankandi publik”, sqaroi Gjiknuri.

Ai tha se “ankandi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe çmimi u vendos në përputhje me metodologjitë e Bashkimit Europian, duke marrë si referencë bursën më të madhe në Europë për gazin, Bursën e Hollandës (Dutch TTF)”.

E njëjta metodologji, sipas Gjiknurit, përdoret për naftën, ku çmimi përcaktohet sipas BRENT (Bursës së Londrës).

“Fituesi i Ankandit u shpall kompania CGC me çmimin 80 % të bursës. Pra nuk ka një çmim fiks, por çmimi është referencë e çmimit të bursës. Gjithsesi, kompania fituese e Ankandit nuk u paraqit për të lidhur kontratën për blerjen e gazit. Në këto kushte, “Albpetrol” sh.a bëri ekzekutimin e garancisë së ofertës, duke ndjekur rrugën ligjore”, vijoi Gjiknuri, ndërsa publikoi edhe njoftimin për konfiskimin e sigurimit të ofertës.

Gjiknuri siguroi se “në asnjë rast, asnjë metër kub gaz nuk është shitur nga kompania “Albpetrol” sh.a tek kompania CGC”.

“Gazi shoqërues i vendburimit Cakran-Mollaj vazhdon të digjet në atmosferë, pasi nuk ka asnjë kompani apo person të interesuar për blerjen e tij. Kjo është fiks si historia e atyre që bërtisnin pse nuk bie këmbana e Kishës dhe në fund kuptojnë se Kisha nuk kishte fare këmbanë”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.