Viti i ri akademik në Korçë, zv.rektori: Edhe të pavaksinuarit në auditore, procesi në vijim

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Zv.rektori i Universitetit “Fan Noli” në Korçë, Artur Adili tha sot në një prononcim për mediet se, “studentët e pavaksinuar do të vijnë në mësim duke respektuar rregullat antikovid dhe në vazhdim do të vaksinohen”.

Adili tha se “janë ngritur dy qendra vaksinimi, njëra në Fakultetin e Mësuesisë dhe tjetra te Fakulteti i Shkencave, departamenti i Infermierisë”.

“Nga sa kemi informacion, pjesa më e madhe e studentëve është e vaksinuar të paktën me vaksinën e parë, ndërsa për studentët e pavaksinuar nuk do të lejohen në auditor studentë pa masat antikovid, maska. Në vazhdim do të bëhet i detyrueshëm për studentët vaksinimi”, tha ai.

Adili tha se “studentët e pavaksinuar do të futen në mësim, por duke mbajtur maska e duke respektuar rregullat”.

“Studentët e vaksinuar dhe ata të pavaksinuar do të futen me maska në auditore. Me kalimin e kohës ata do të vaksinohen të gjithë që të futen në auditore. Nuk mund t’i vaksinojmë të gjithë studentët brenda një dite dhe nuk mund t’i penalizojmë edhe për mësimin. Kështu që do respektojnë rregullat antikovid. Do ketë dhe nga ne indicie të shkojnë të vaksinohen të gjithë, por atyre që nuk janë të vaksinuar nuk mund t’u themi që nuk do të vijnë në mësim. Do të vijnë në mësim duke respektuar rregullat antikovid dhe në vazhdim do të vaksinohen”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.