Meta pret Gërvallën: Zgjedhjet lokale në Kosovë, shembull për rajonin

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Presidenti Meta e uroi ministren Gërvalla për detyrën e rëndësishme, që ushtron në qeverinë e Kosovës, në këto momente mjaft të rëndësishme për vendin e saj.

Presidenti Meta i përgëzoi institucionet e Republikës së Kosovës për zhvillimin me korrektësi dhe në mënyrë demokratike të zgjedhjeve lokale, që u mbajtjen dje.

“Zhvillimi i zgjedhjeve lokale, nxjerrja si dhe pranimi i rezultateve paraprake nga të gjitha palët në proces është një shembull për të gjithë rajonin se si duhet të zhvillohen dhe administrohen zgjedhjet”, theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit theksoi së Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht në lehtësimin e çdo pengese që ekziston në zhvillimet në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat e tjera të jetës.

Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se të dyja vendet tona, së bashku duhet të punojnë edhe më ngushtësisht për forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për përshpejtimin e proceseve të integrimeve evropiane.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.