Mbërrijnë edhe 117,000 doza Pfizer, 2,379,960 vaksina antikovid deri tani

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Edhe 117,000 doza të vaksinës “Pfizer”, pjesë e kontratës së dytë prej 500 mijë dozash që do të vijnë brenda vitit, sapo mbërritën në aeroportin “Nënë Tereza”.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“2,379,960 vaksina kanë mbërritur deri tani, për të vijuar vaksinimin antikovid, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Jemi të vendosur të garantojmë vaksinat falas për çdo qytetar, deri në fund të përballjes me pandeminë”, shprehet Manastirliu.

Vaksinimi antikovid vijon në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqendruar, çdo ditë të javës, ku çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të vaksinohet me kartën e identitetit.

Krahas pikave të përqendruara dhe qendrave shëndetësore vaksinimi po vijon në çdo universitet të vendit.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.