Aplikimi për vizë, Ambasada gjermane: Pranohen vetëm dosjet e plota

TIRANË 18 tetor /ATSH-I.Vata/ Ambasada gjermane në Tiranë njoftoi sot të gjithë qytetarët e interesuar për pajisjen me vizë, se nga data 1 nëntor 2021, ka ndryshuar procedura e aplikimit për vizë.

Në njoftimin e Ambasadës gjermane theksohet fakti se pranohen vetëm dosjet e plota të aplikimit.

Ambasada njoftoi se prej datës 01.11.2021 sektori i vizave do të ndryshojë procedurën e aplikimit për vizë. Sipas njoftimit, në momentin e paraqitjes pranë zyrës së vizave do të pranohen vetëm dosje të plota aplikimi.

“Aplikimet e personave, që me gjithë dokumentacionin e paplotë këmbëngulin në pranimin e dosjes, do të refuzohen pasi të jenë mbajtur tarifat përkatëse. Jeni të lutur të paraqiteni vetëm pasi të keni një dosje të plotë aplikimi me të gjithë dokumentet e listuara në fletën përkatëse të informacionit. Bllokoni takimin tuaj, nëse e dini që në momentin e paraqitjes nuk i keni të gjithë dokumentet”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.