STRASBURG – Mogherini: Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në BE një detyrë morale dhe ribashkim

STRASBURG, 17 tetor /ATSH-ANSA/ – Vazhdimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është në interesin tonë dhe gjithashtu një detyrë morale, tha ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

“Ndjekja e zgjerimit dhe përfshirja e Ballkanit Perëndimor, vende që tashmë janë pjesë e kontinentit evropian, është një ribashkim më shumë sesa një zgjerim”, theksoi Mogherini.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se një tjetër nga elementët në diskutim në lidhje me të ardhmen e Evropës është edhe zhvillimi i një mbrojtjeje evropiane, e lindur nga pasiguritë dhe trazirat për të ardhmen e NATO-s.

“Unë besoj se do të ishte shumë e rëndësishme të rifillonte diskursi i politikës evropiane të mbrojtjes dhe të gjendeshin burime financiare dhe kapital politik, jo në kundërshtim me NATO-n, por, përkundrazi, për të forcuar NATO-n dhe qëllimet e saj “, shtoi ajo.

Rektorja e Kolegjit të Evropës foli gjatë panelit të katërt të qytetarëve në Konferencën për të Ardhmen e Evropës, i kushtuar politikës së jashtme të BE-së./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.