Shqipëri-Greqi, rritje e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë

TIRANË, 17 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja zhvilloi një takim me ambasadoren e Greqisë në Tiranë, Sophia Philippidou.

Gjatë takimit Manja dhe Philippidou biseduan për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Kur takohen dy fqinj ka gjithmonë tema për të diskutuar. Gjatë takimit me Ambasadoren Greke, Sophia Philippidou, identifikuam disa fusha bashkëpunimi për zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi, forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e kapaciteteve ligjore për procesin e integrimit”, thekson Manja.

Ministri Manja bën të ditur se “diskutuam mundësinë e bashkëpunimit për ngritjen e një sistemi online konsultimi ligjor me studentët shqiptarë, por jo vetëm, që studiojnë në fakultetet e drejtësisë në Greqi, si një mundësi e mirë në diskutimet për kapitullin 23 gjatë procesit të negociatave me BE-në”.

/k.s//a.a/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.