Vlorë, arrestohen 3 shtetas për shpërdorim të detyrës

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Tre shtetas u ndaluan sot në Vlorë, pasi akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim të detyrës.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës nga persona që ushtrojnë funksion publik, pas një hetimi disamujor, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin e koduar “Formulari”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve: B. GJ., 60 vjeç, banues në Vlorë, K. M., 37 vjeç, banues në Vlorë dhe S. D., 51 vjeç, banues në Himarë.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi B. Gj, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtori shtetasin K. M, dhe shtetasin S. D, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr. 6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi.
Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim.
/k.s/a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.