Rrezikuan të mbyteshin, Policia shpëton 4 turistë hungarezë


TIRANË 15 tetor /ATSH-I.Vata/ Policia dhe zjarrfikësit në Maliq kanë shpëtuar sot 4 turistë hungarezë që rrezikuan të mbyteshin në lumin Devoll.

Policia e Shtetit informon se “shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë nga banorët e fshatit Plovisht, Maliq, se disa turistë të huaj, kishin mbetur në mes të lumit Devoll, me automjetin e tyre tip fuoristradë dhe rrezikonin të mbyteshin për shkak të prurjeve të mëdha të lumit, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë thirrur në ndihmë shërbimet e zjarrfikëses Maliq, me ndihmën e të cilëve, u bë e mundur nxjerrja e turistëve nga uji”.

“Turistët hungarezë, kanë falenderuar punonjësit e policisë dhe zjarrfikësit që iu erdhën në ndihmë në kohën e duhur duke u shpëtuar jetën”, informon Policia.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.