Nikolla pret ambasadorin e Maqedonisë së Veriut: 2 vendet, gati për tryezën e parë ndërqeveritare me BE-në

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti ambasadorin e Maqedonisë së Veriut, Dancho Markovski.

Ambasadori Markovski i shprehu Nikollës urimet për zgjedhjen në detyrën e lartë të Kryetares së Kuvendit dhe e garantoi për vullnetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të zgjeruar e intensifikuar bashkëpunimin midis parlamenteve, qeverive dhe qytetarëve të të dy vendeve.

Shqipëria i jep rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut, si një vend fqinj dhe mik i qëndrueshëm. Marrëdhëniet po përparojnë shumë mirë dhe të dy vendet tona bashkëpunojnë intensivisht si në nivelet dypalëshe, ashtu edhe në ato shumëpalëshe. Bashkëpunimi ka hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve dypalëshe, përmes takimeve të përbashkëta qeveritare.

“Maqedonia e Veriut është një vend fqinj dhe mik i shkëlqyer i Shqipërisë, një partnere e ngushtë në NATO dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Të dy vendet  tona jemi gati të ulemi në Tryezën e parë Ndërqeveritare me BE-në dhe e kemi merituar këtë me arritjen për evropianizimin e vendeve tona dhe kontributin për evropianizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.