KLP përshëndet zgjedhjen e 3 anëtarëve të rinj nga radhët e prokurorëve

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Sot u zhvillua mbledhja e përgjithshme e prokurorëve për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e prokurorëve për një mandat 5-vjeçar.

Ata do të zëvendësojnë në detyrë tre anëtarët prokurorë të Këshillit, Vatë Staka, prokuror nga  Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, Moisi Duda, prokuror nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Durrës dhe Kostaq Beluri, prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme.

Para mbledhjes, kandidatët për anëtarë prokuror në Këshillin e Lartë të Prokurorisë kanë prezantuan platformat e tyre në mënyrë elektronike në faqen e Prokurorisë së Përgjithshme duke i njohur kolegët e tyre dhe opinionin publik me motivimin dhe vizionin e secilit.

Në përfundim të procedurës së votimit, mbledhja e përgjithshme e prokurorëve zgjodhi tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfaqësues nga tri shkallët e prokurorisë:

Sokol Stojani nga Prokuroria e Përgjithshme,

Ludovik Dodaj nga Prokuroritë e Apelit,

Zeqir Hoda nga Prokuroritë të Shkallës së Parë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë iu uroi suksese anëtarëve të rinj në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.