ISHP: Vaksinat anti-COVID të sigurta, metodat primitive nuk do e ndalin procesin jetik të vaksinimit

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik deklaron se të gjitha vaksinat e ardhura vijojnë të kalojnë në filtrin rregullator dhe monitorohen me rigorozitet për datën e  skadencës.

Në vijim të procesit të monitorimit dhe adresimit të situatës së Pandemisë COVID-19, pjesë e së cilës është dhe vaksinimi masiv i popullatës që vijon me intensitet dhe përgjegjshmëri në të gjithë territorin e vendit, pa u ndalur asnjë ditë, në qendrat e vaksinimit masiv, qendrat shëndetësore, në komunitet, derë më derë dhe pranë universiteteve, ISHP thekson se metodat primitive nuk do e ndalin procesin jetik të vaksinimit.

Në një reagim zyrtar, ISHP deklaron se “çdo përpjekje për të krijuar kaos me të pavërteta për çështjen e skadencës së vaksinave është një mënyrë primitive për të penguar procesin e nevojshëm, jetik dhe të pandalshëm të vaksinimit”.

“Për sa i përket monitorimit edhe të skadencës, vaksinatorët janë mirëfilli të trajnuar. Kjo nuk është fushata e parë e vaksinimit, programi kombëtar i vaksinimit është një nga vlerat e rëndësishme të sistemit shëndetësor publik, prandaj ne kemi garancinë e procesit”, thekson ISHP.

ISHP apelon që të gjithë qytetarët të vijojnë me vaksinimin si zgjidhja e vetme për t’i dhënë fund pandemisë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.