Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë

TIRANË 15 tetor /ATSH-I.Vata/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kujton sot 15 Tetorin, Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë.

Kjo ditë daton në vitin 1964, kur presidenti amerikan Lindon S. Jonson nënshkroi deklaratën e cila sanksiononte të drejtën e personave të verbër për të qenë të barabartë dhe të gjithëpërfshirë në shoqëri dhe masat që institucionet përgjegjëse duhet të merrnin për të lehtësuar dhe respektuar kërkesat e këtij komuniteti. 15 Tetori njihet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë e cila simbolizon përpjekjet e personave të verbër për përmirësimin e standardit të të drejtave të tyre.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi thekson se ka rritje të ndjeshmërisë së institucioneve shtetërore ndaj personave të verbër.

“Edhe në vendin tonë, prej disa vitesh, individët me shikim të kufizuar nën kujdesin e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve, e kremtojë këtë ditë. Në mënyrë te veçantë, kjo ditë i bashkon ata në veprimtari të ndryshme në nivel lokal e kombëtar që kanë për qëllim sensibilizimin e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë për përmirësimin e realizimit në praktikë të të drejtave që atyre u jep statusi i të verbrit, por shërben për promovimin e vlerave që këta persona mund të ofrojnë në shoqëri. Është fakt pozitiv që ka një rritje të ndjeshmërisë së shoqërisë dhe institucioneve shtetërore ndaj personave të verbër, por arritja e standardeve bashkëkohore që rekomandojnë dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar kërkon më shumë punë. Problematika të tilla si aksesi në informim, arsimi i integruar, punësimi, gjithëpërfshirja në aktivitete kulturore e sportive, krijimi i kushteve për lëvizjen autonome të personave të verbër në rrugë e kudo, janë ende të brishta në shoqërinë tonë”, shprehet KMD.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.