Basha: Për mua dhe PD, SHBA partneri ynë strategjik

TIRANË 14 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zbardhi takimin me delegacionin e Kongresit amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim.

Në fokus të takimi të kryetarit të PD-së Basha ishte mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke.

“Kënaqësi të mirëprisja delegacionin e Kongresit amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim dhe t’u shprehja mirënjohjen time dhe të PD për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë Kombit shqiptar. Ndava me ta shqetësimin tonë për situatën në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, masakrën zgjedhore dhe lidhjet e politikës me krimin. Diskutuam edhe për situatën në Kosovë dhe rajon. Mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke, do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon, që sot mbetet i brishtë. Ritheksova se për mua dhe PD, SHBA janë partneri ynë strategjik dhe bashkëpunimi sa më i ngushtë ekonomik, politik dhe në fushën e sigurisë është prioritet kryesor i yni”, shprehet Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.