Ambasadori japonez: Integrimi i Shqipërisë në BE shumë i rëndësishëm

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki zhvilloi sot një takim me kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashi me rastin e ditës së Çlirimit të Fierit.

Në një deklaratë për mediet, Mitsuyuki shprehu mbështetjen e Japonisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, teksa theksoi se integrimi në BE është shumë i rëndësishëm.

“Qeveria japoneze mendon se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe i gjithë rajonit në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye edhe qeveria japoneze ka investuar për përmirësimin e cilësisë së jetesës së shqiptarëve, sepse mendon që do të jetë një hap që do të ndihmojë më tepër në integrimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë”, tha Mitsuyuki.

I pyetur mbi projektet japoneze në vendin tonë dhe bashkinë e Fierit, Mitsuyuki tha se, “që këtej e tutje do të fillojmë të flasim në mënyrë më konkrete për realizimin e projekteve të mundshme mes bashkisë së Fierit dhe ambasadës japoneze. Shpresojmë që mund të përmirësojmë marrëdhëniet dhe të rrisim bashkëpunimin”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.