Tabaku: Borxhi publik ka shkuar në 80 %

TIRANË 14 tetor /ATSH-I.Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se borxhi publik ka shkuar në 80 % e bashkë me PPP, po shkon në 95 %.

Në fjalën e saj në Kuvend, Tabaku tha se “në çdo vendim që kanë marrë, në çdo ligj që kanë sjellë çdo ditë e më shumë kanë futur duart në xhepat e qytetarëve. Parlamenti voton symbyllazi, nuk bëjnë asnjë ndryshim, nuk shohin çfarë u sjellin. Po votoni kundër vaksinimit tha. Çfarë ka sot rritja e borxhit me 110 milionë euro? Ka 1 milion për vaksinat, ka për Teatrin Kombëtar. Janë duke sfiduar edhe Gjykatën Kushtetuese duke i dhënë fonde bashkisë së Tiranës për Teatrin Kombëtar, janë duke kaluar fonde për mirëmbajtje të AKSHI-t, janë duke dhënë fonde për drone, të gjitha të parashikueshme”.

Sipas saj, “nuk mund ta kthejmë Parlamentin në një noter të çdo ndryshimi buxhetor që këta duan të bëjnë”.

“38 akte normative, ndryshime kanë vetëm vitin e kaluar, 28 këtë vit. Çfarë është kjo? Paaftësi, arrogancë, korrupsion që jo vetëm buxheti, por dhe Kushtetutën e kanë kthyer në një fletore bakalli. Unë nuk e di a ka qeveri që 4 herë brenda vitit të ndryshojë buxhetin, Nuk e di që a ka qeveri që në fillim të viti 2021 nuk e di se do të vaksinojmë, është minimumi i përgjegjësisë zyrtare, minimumi i përgjegjësisë para qytetarëve dhe pastaj vijnë e na shesin ne fonde për rindërtimin dhe tërmetin. Do marrim borxh për të ulur borxhin, tha ministrja e Financave. E pranojnë vetë, në 80 % nivelin e borxhit publik për ta ulur në 45 % tha po ministrja e Financave sot”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se “i gjithë akti normativ për ndryshimin e buxhetit ka një gjë në thelb, janë fonde që u përdorën për fushatën elektorale, parapagesa për kompanitë, qoftë edhe për Unazën e Tiranës, qoftë për projekte të tjera që kanë tenderuar vetë, që thjesht i formalizuan, i futën në një akt normativ, i paketuan dhe ja se i miraton Parlamenti”.

Tabaku theksoi se “Kryeministri deklaroi se janë rritur me 50 % importet, ku në fakt janë ulur me 15 %. Çdo gjë është në funksion të propagandës. Unë nuk e besoj dot si mundet të kemi një mohim të tillë të realitetit. Se si mundet që borxhi publik, që ka shkuar 80 % e bashkë me PPP po shkon në 95 %, të konsiderohet si meritë”.

Duke folur për deklaratën e FMN-së, Tabaku tha se “dy elemente tha FMN, nuk ka të dhëna të sakta për ekspozimet e qeverisë për risqet. Garancitë të cilët merren për kompanitë e sektorit publik, Ujësjellës Kanalizime për energjinë elektrike, janë duke vendosur në risk buxhetin, si ajo që do vendosnin për sistemin e OSHEE. Kostot e larta të kontratave korruptive, 20 milionë euro shkojnë, por çfarë thoshte FMN për të tjera të ngjashme dhe çfarë thotë BB të ngjashme? Korridori i Bosnjës që financohet nga fondet e BE ka kushtuar 10 milionë euro, rruga Nish-Merdarë 7.7 milionë euro për km. Kostot e rrugëve në Shqipëri janë dy herë më të larta se vendet e rajonit, dhe këtë po miratojmë sot, nuk po miratojmë vaksinimin. Ne po miratojnë sa herë mblidhemi, kontratat e tyre korruptive”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.