Kuvendi vendos 10 minuta për çdo deputet, Bardhi: Po i heq të drejtën e fjalës opozitës

TIRANË 14 tetor /ATSH-I.Vata/ Kuvendi, nisi sot seancën plenare me debat pasi opozita nuk ka qenë dakord me minutazhin e lënë në dispozicion për ta, që të diskutojnë projektligjet.

Opozita ka kundërshtuar vendimin e mazhorancës për të reduktuar kohën me 10 minuta për çdo deputet, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj kërkoi ndryshim të vendimit të Konferencës së Kryetarëve.

Ai tha se në këtë seanca po shkelet rregullorja. “Dua t’ju sjell në vëmendje se kjo seancë po bëhet në shkelje të rregullores”, tha ai.

Po ashtu, deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi tha se Kryetarja e Kuvendit po i heq të drejtën e fjalës opozitës.

“Mos na mohoni të drejtën e fjalës. Kjo s’ka ndodhur kurrë që deputetëve të opozitës, 63 deputetë, që të flasin 100 minuta. Ndërkohë rregullorja na ka dhënë të drejtën që të flasim 600 minuta. Ju tani duhet të ndërprisni seancën?! Opozitës nuk mund t’i mbyllet goja në një parlament që ekziston në një vend minimumi normal. Ju keni detyrimin që të thoni se kush është arsyeja që keni marrë këtë vendim. Doni t’i hiqni të drejtën e fjalës opozitës? Jeni aty jo thjesht për t’u bërë transmetuese e vendimeve. Jua ka kërkuar Edi Rama? Nuk është argument!”, tha Bardhi.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tha se është marrë me vendimmarrje të përbashkët në Konferencën e Kryetarëve.

Po ashtu, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla tha se është rënë dakord që kjo të vazhdojë deri në vaksinimin e plotë të deputetëve të Kuvendit.

“E para, mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve, edhe pse janë të mbyllura, procesverbali i tyre është publik, dhe do të bëhet publik edhe diskutimi që kemi pasur në disa mbledhje. Nga të dy krahët e kësaj salle është rënë dakord që deri në vaksinimin e plotë të deputetëve të Kuvendit, rregull i miratuar me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve, të vazhdojmë kështu. Me konsensus kemi dakordësuar që t’i kthehemi plotësisht punës në komisione, dhe po me konsensus është rënë dakord dje që të shkurtohet një orë. Parlamenti Evropian për 708 eurodeputetë ka vendosur të diskutojë në seancë 4 orë. Jemi në gjendje të një pandemie botërore. Nuk ka një parlament në Evropë, që nuk i zhvillon seancat me kohë të reduktuar. Edhe kjo seancë do të zhvillohet kështu”, tha ai.

Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili tha se po censurohet e folura në Kuvend.

“Ju them që censurën e të folurit harrojeni. Unë dua kohën për procedurë, do marr dhe do flas për atë që e quaj të rëndësishme. Jam shumë i keqardhur për një sjellje, që mendoj se e bëni se nuk dini, pasi thelbi i letrës që ju kam dërguar, ka qenë se koha nuk negociohet. Boll e përdorët pandeminë, e keni përdorur në mënyrën më të shëmtuar, është turp. Ne kemi qëndruar këtu për 18 orë, kur ishte programi i qeverisë, por atëherë nuk ishte problem pandemia, ndërsa sot qenka”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.