Çmimi i energjisë elektrike u ul nga 13.2 në 9.5 lekë në 2015

TIRANË, 14 tetor/ATSH/ “Energjia në faturën e familjeve shqiptare që nuk ishin brenda kategorive të fashës deri në 300 kilovatë ka qenë 13.2 lekë u bë 9.5 lekë, për të tjerët që rrinin tek ajo fashë pa e merituar duke gënjyer shtetin e duke vjedhur, natyrisht që u rrit dhe u bë përsëri 9.5 nuk u bë 13.2”.

Kështu deklaroi sot nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama.

“Ndërsa për konsumatorët që e meritonin sot e gjithë ditën ky shtet kompenson me para diferencën”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “energjia paguhej me dy fasha, ishte një fashë gjoja për të mbrojtur ata më të pamundurit që konsumonin 300 kilovatë dhe nuk ishte 7.2, por ishte 7.7 dhe për të gjithë të tjerët përfshirë konsumatorët familjarë, të gjithë konsumatorët familjarë që nuk hynin tek ajo shtresë ishte 13.2 lekë çmimi i energjisë. Ishin që nga drejtora policie deri tek biznesmenë me vila të regjistruar si familjarë në nevojë deri tek fabrika të regjistruara si familjarë në nevojë, dhe çfarë bëmë ne, e hoqëm fashën dhe çmimin e çuam në 9.5 lekë për të gjithë konsumatorët familjarë, pra për shumicën e atyre deri në vitin e reformës në 2015 paguanin 13.5 lekë energjia u bë 9.5 lekë për të gjithë shumicën. Sigurisht për të gjithë ata që e paguanin 7.7 me hile u rrit, ndërkohë që për ata që 7.7 e meritonin ne vendosëm mburojën sociale”.

“Këto janë të dhëna që janë në buxhetin e shtetit nuk ka nevojë të bëjmë këtu ballafaqime faktesh, faktet nuk janë opinione”, shtoi Rama.

Duke iu drejtuar kreu të opozitës, Rama tha se “ke ide se mund të ulet? Sill ekspertizën ta diskutojmë, por mos thuaj ishte i ulët dhe u rrit, sepse është thjesht e pavërtetë”.

Sa i përket çështjes së kontrabandës, Rama tha se “në vitin 2013 ju zhdoganonit 313 mijë tonë naftë, tani që flasim është zhdoganuar 481 mijë tonë. Atë emrin që përmende formulo denoncimin dhe dili për zot tek SPAK-u”.

Duke folur përçmimin e karburantit, Rama u shpreh se “se kam fshehur kurrë dhe nuk e fsheh as sot, po patjetër në çmimin e karburantit ka një taksë karboni. Pyetja është sot në krizë që janë rritur çmimet në benzinatë, shqiptarët që shkojnë të blejnë karburant e blejnë më shtrenjtë se e blinin kur ju ishit në pushtet apo e blejnë më lirë? Edhe ky është një fakt, nuk është opinion. Çmimi në benzinatë me gjithë taksën e karbonit brenda, dhe ajo taksa e karbonit nuk ka për t’u hequr për një arsye të thjeshtë, sepse ne besojmë kush ndot më shumë, duhet të paguajë edhe më shumë”.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.