Beci: Së shpejti projekti për Unazën e Alpeve. Bushati: Premton atë që u bë nga PD

TIRANË 14 tetor /ATSH-I.Vata/- Deputeti i PS-së Benet Beci ka deklaruar se së shpejti do të fillojë projekti i detajuar për Unazën e Alpeve.

Beci thekson se “unaza e Alpeve që nis me një akset kryesore me të rëndësishme të qarkut Shkodër është rruga e Dukagjinit apo aksi Prekal-Lotaj-Ndërlysaj (Theth). Aksi përshkon të gjithë zonën e Dukagjinit dhe një degëzim në lindje të këtij aksi (Lotaj-Lekbibaj) lidh zonën dhe Shkodrën me Lekbibajt në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës dhe më tej Gjakovën në Kosovë. Ky aks i gjatë dhe i vështirë malor është shumë i rëndësishëm për kompletimin e rrjetit rrugor të Alpeve në funksion të zhvillimit të turizmit. Nga ana tjetër rruga lidh komunitetet e  fshatrave  të ish-komunave Kir, Shosh e Shalë  me Shkodrën duke mundësuar rigjallërimin social dhe ekonomik të tyre”.

“Kolegët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit më dhanë lajmin e mirë se së shpejti do të fillojë projekti i detajuar teknik i kësaj rruge dhe se Banka Botërore në kuadër të kredisë për projektin e rrugëve dytësore ka rënë dakord në parim të financojë ndërtimin e kësaj rruge. Angazhimi serioz i institucioneve të Qeverisë Shqiptare për zgjidhjet teknike dhe gjetjen e financimit  për këtë investim mjaft të madh është një sinjal shumë i qartë dhe konkret për mbështetjen e qarkut Shkodër. Jam i bindur që me përpjekjen e të gjithëve do të mund ta kthejmë në realitet edhe këtë projekt”, është shprehur Beci.

Lidhur me këtë deklaratë, ka reaguar deputeti i PD-së, Helidon Bushati duke u shprehurse Beci, iu premtoi shkodranëve atë që u bë nga demokratët në vitin 2013, ku PD, në fund të qeverisjes miratoi fondi prej 5 miliardë lekësh.

“Deputeti i rilindjes për Shkodrën paska shpallur dje si arritje të madhe se janë duke biseduar rreth një projekti infrastrukture, në atë që njihet si Unaza e Alpeve. Çdo investim në zonë do të ishte i mirëpritur dhe unë i pari do ta përshëndesja. Dua vetëm të ndajmë punën nga propaganda. Shihni çfarë diference ka deputeti i rilindjes sot, me veten e tij në vitin 2013. Dhe këtu del edhe dallimi i dy kohëve. Në fund të qeverisjes së demokratëve u miratua fondi prej 5 miliardë lekësh dhe ishte gati nisja e punës për aksin Prekal-Kir (Komuna Pult). Deputeti i rilindjes e mban mend mirë se përveçse dëshmitar, ishte edhe i përfshirë në këtë projekt si drejtues i FSHZH. Sapo erdhi Edi Rama në pushtet, e mori atë buxhet, dhe e dërgoi në Korçë. Ky ishte pra vullneti i rilindjes për qarkun e Shkodrës”, tha Bushati.

Deputeti i opozitës shton se “sot, i njëjti na e hedh si realizim premtimi e si vëmendje, një gjë që është në fazën e diskutimit. Po 8 vitet e humbura? Po për këto kush mban përgjegjësi? Mund të kalohet një ditë më propagandë, ndoshta dhe një javë. Po faktet janë aty dhe s’të lënë të shkosh larg”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.