Ndihmuan shtetas të huaj për kalim kufiri, 2 në pranga në Korçë

TIRANË 13 tetor /ATSH-I.Vata/ Policia e Shtetit vijoi operacionin policor “Perimetri” duke goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Policia e Shtetit njoftoi se specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, kanë goditur një tjetër rast si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, K. L., 31 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi E. R., 22 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë.

“Shërbimet e Policisë kanë kapur në aksin rrugor Maliq-Lozhan, shtetasin D. Gj., duke transportuar me mjetin tip “Lancia”, 3 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezulton se të implikuar si bashkëpunëtorë në këtë ngjarje ishin edhe shtetasit E. R. dhe K. L., për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, thuhet në njoftim.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.