Miratohen normat e trajtimit me ushqim të efektivëve të Forcave të Armatosura

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme me propozim të ministrit të Mbrojtjes, normat e trajtimit me ushqim të efektivëve ushtarakë të Forcave të Armatosura.

Sipas vendimit, ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, studentët/kadetët e Forcave të Armatosura dhe kandidatët për ushtarë/detarë trajtohen me racionin bazë të ushqimit, і cili përmban 4300 kalori, dhe me strukturë ushqimore të përcaktuar.

Personeli ushtarak i strukturave të Forcave të Armatosura, gjatë angazhimeve në operacione e stërvitje të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, përveç racionit bazë të ushqimit, të trajtohet me racion shtesë 500 kalori.

Personeli ushtarak i Forcave të Armatosura, gjatë angazhimeve në operacione, stërvitje të ndryshme të organizuara brenda e jashtë vendit dhe detyra të ndryshme në terren jashtë venddislokimit të përhershëm, si: angazhimeve gjatë pandemive, ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, pjesëmarrje në emergjenca civile etj., të trajtohet me 2.5 litra ujë të pijshëm të paketuar për person në ditë.

Ministri і Mbrojtjes përcakton dhe miraton: strukturat e Forcave të Armatosura që do të trajtohen me shtesë racioni ushqimor, me 500 kalori për ditë; strukturën e racionit bazë të ushqimit ditor (proteina, yndyra, karbohidrate), në përputhje me kaloritë dhe vlerën financiare; normën e zëvendësimit të artikujve ushqimorë, në përputhje me kaloritë dhe strukturën ushqimore; trajtimin me ushqim të gatuar, pa pagesë, për ushtarakët aktivë, në rast të qëndrimit në repart mbi 8 (tetë) orë, për arsye gatishmërie, shërbimi 24-orësh apo trajnime dhe stërvitje në terren, në operacione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Në këto raste ushtarakët nuk përfitojnë kompensim të ushqimit në vlerë në lekë; njësitë dhe repartet që plotësojnë infrastrukturën e nevojshme për shërbimin e ushqimit me kontraktorë; normat e materialeve dhe të pajisjeve për gatim, ruajtje dhe shpërndarje të shërbimit të ushqimit në Forcat e Armatosura.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Vendimi nr.88, datë 28.1.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të efektivave ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.

Ngarkohet ministri і Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.