Manja me shoqatën e bankave për ndryshime në Kodin Civil

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Të drejtat e bankave në pozitën e tyre si kreditorë për pronat e konfiskuara, nevoja për ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, ishin në fokus të takimit që zhvilloi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja me përfaqësues të lartë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, (AAB).

Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të AAB, kryesuar nga kryetari i Bordit, Bledar Shella u pritën në një takim pune nga ministri Manja, ku diskutuan për një sërë çështjesh me rëndësi për sistemin bankar të lidhura drejtpërdrejtë me legjislacionin në fuqi.

“Të drejtat e bankave në pozitën e tyre si kreditorë për pronat e konfiskuara, nevoja për ndryshime në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, si dhe çështje në lidhje me shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, ishin temat kryesore të diskutuara”, thuhet në njoftimin për shtyp të AAB-së.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.