Energjia, Agalliu: Kriza nuk vjen nga tregjet ndërkombëtare

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu deklaroi sot se “kriza nuk vjen nga rritja e çmimit të tregjeve ndërkombëtare, por i ka themelet pikërisht në abuzimet dhe në korrupsionin që kjo qeveri bën”.

“Sot dëgjuam se si qeveria i faturon tregjeve ndërkombëtare krizën të cilën e artikulon përditë. Por në të vërtetë problemi është tjetërkund. Kjo është një krizë korrupsioni, kjo krizë i ka themelet në abuzimin e tenderave me miliona euro që zhvillon OSSHE. Kjo krizë buron nga punësimi në administratën publike dhe në OSSHE të qindra patronazhistëve që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Kjo krizë e ka themelin në abuzimin dhe vjedhjen që bëhet në këtë sektor”, tha ai.

Agalliu tha se, “ne nuk kemi asnjë investim real në sektorin e energjisë në Shqipëri”.

“Dëgjuam qeverinë sot se si tha që nuk do të rritet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin dhe për biznesin e vogël, por në asnjë moment nuk dëgjuam se çfarë do të ndodhë me çmimin e energjisë elektrike për biznesin e madh. Është e pashmangshme nëse do të kemi rritje të çmimit të energjisë elektrike për këtë sektor të mos preket qytetari shqiptar. Njerëzit, qytetarët, konsumatorët, blejnë produkte dhe shërbime që ofrohen nga biznesi i madh dhe në këtë kontekst xhepi i çdo shqiptari do të rëndohet në mënyrë të pashmangshme”, tha ai.

/a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.