Dogana fton biznesin të aplikojë për statusin “eksportues i miratuar”

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Në funksion të lehtësimit të procedurave doganore dhe nxitjes së eksporteve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton të gjitha bizneset eksportuese të aplikojnë në platformën e-Albania për marrjen e statusit të “eksportuesit të miratuar”.

Statusi i eksportuesit të miratuar i jep përparësi biznesit. Me këtë status biznesit i reduktohet ndjeshëm koha e pritjes në doganë, koha për lëshimin e certifikatës EUR 1 si dhe shmang mundësinë e gabimeve gjatë plotësimit të certifikatës EUR 1, gabime këto që do të sillnin penalizim të operatorit ekonomik eksportues.

Po ashtu, redukton kohën për plotësimin e dokumenteve që shoqërojnë deklaratën doganore të eksportit, si dhe rrit besueshmërinë e autoriteteve doganore të vendit të destinacionit të mallit ndaj operatorëve ekonomik.

Aplikimi kryhet në llogarinë e biznesit në e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “autorizim për statusin e eksportuesit të miratuar”.

Administrata Doganore thotë se do të mbështesë bizneset në këtë proces.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.