COVID-19 ka zvogëluar me 1,3 vjet jetëgjatësinë e britanikëve

LONDËR, 13 tetor /ATSH/ – Pandemia e COVID-19 ka zvogëluar jetëgjatësinë e britanikëve, sipas raportit të fundit nga Paneli i Shkencës së Jetëgjatësisë.

Efektet më të rënda u regjistruan në grupet më të cenueshme, ku pabarazitë janë zgjeruar.

Raporti i ri “Pandemia COVID-19” nxjerr në pah një fakt të rëndësishëm: jetëgjatësia në lindje është ulur me 1,3 vjet për burrat dhe 0,9 vjet për gratë në vitin 2020, për shkak të pandemisë.

Sipas raportit, pandemia ka kushtuar rreth 155 000 jetë në Britaninë e Madhe dhe më shumë se 4,5 milionë jetë në nivel global.

Ndikimi i saj ka qenë i thellë: të dhënat sugjerojnë se rreth 76 për qind e vdekjeve të përgjithshme nga COVID-19 ndodhën në 5 për qind të popullsisë më të rrezikuar.

Këta faktorë rreziku janë të ndryshëm dhe variojnë nga sëmundjet e zemrës tek obeziteti.

Deri tani më i rëndësishmi nga këta faktorë është mosha, me një rrezik vdekjeje që rritet me rreth 10 për qind për çdo vit të moshës.

Për më tepër, raporti tregon se nivelet e vdekjeve nga COVID-19 në BM priren të jenë më të larta në zonat e pafavorizuara socio-ekonomike dhe të ndryshojnë sipas rajoneve, me norma më të larta të vërejtura në veri.

Zonat me shkallë më të lartë të privimit material, gjithashtu, përjetuan përgjithësisht nivele më të larta të vdekshmërisë, pjesërisht për shkak të kushteve të jetesës, mbipopullimit dhe cilësisë së dobët të banimit.

Kjo është edhe për faktin se punëtorët në grupet më të ulëta socio -ekonomike, me paga më të ulëta dhe që banojnë në zonat më të pafavorizuara të vendit, zakonisht janë më pak të aftë të menaxhojnë kushtet e tyre të punës, siç është pamundësia për të punuar në distancë.

Sipas të dhënave, shkalla e vdekshmërisë për burrat në profesionet profesionale, për shembull, ishte 12 për 100 000 banorë, ndërsa për burrat në profesione elementare shkalla ishte 40 për 100 000 banorë. / /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.