Aktivitet i paligjshëm me lojërat e fatit, arrestohet një shtetas

TIRANË 13 tetor /ATSH-I.Vata/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë konstatuar dy raste të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit online, ku është bërë i mundur arrestimi i një shtetasi.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë në bashkëpunim me AMLF, kanë konstatuar në lagjen “Tafil Skëndo”, Kuçovë dy raste të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit online. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë arrestuan shtetasin Xh.H., 26 vjeç (i dënuar më parë për këtë vepër penale) dhe proceduan penalisht shtetasin E.H., 29 vjeç, të dy banues në Kuçovë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, bën të ditur Policia e Shtetit.

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 11 tableta, të cilat dyshohet se shërbenin për vendosjen e llotove të sportit”, informon Policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.