Tjetër mungesë për Kombëtaren, mesfushori Klaus Gjasula pozitiv me COVID-19

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Një tjetër futbollist do t’i mungojë Kombëtares shqiptare në sfidën vendimtare ndaj Polonisë, që luhet këtë të martë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës, pasi rezultoi pozitiv me COVID-19.

Futbollisti kuqezi ka pasur simptoma dhe ka bërë menjëherë testin me tampon, ku më pas ka rezultuar pozitiv. Në këto kushte në bazë të protokollit sanitar i gjithë ekipi dhe stafi teknik kanë kryer sërish testin me tampon dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

Klaus Gjasula bëhet kusht mungesa e pestë e kuqezinjve në ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Përveç mesfushorit trajnerit Reja do t’i mungojnë edhe Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endi Çekiçi i skualifikuar dhe Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në testet e një dite më parë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.