Nikolla: Kuvendi, i përkushtuar për të garantuar sigurinë e gazetarëve

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti përfaqësuesen e OSBE- së për lirinë e medias, Teresa Ribeiro, me të cilën diskutoi mbi bashkëpunimin midis Kuvendit dhe OSBE-së për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe sigurinë e gazetarëve.

Gjatë takimit, Nikolla theksoi se Shqipëria e konsideron lirinë e shtypit një shtyllë të demokracisë.

“Kuvendi është i vendosur për garantimin e lirisë së shtypit, në mënyrë të plotë e pa pengesa. Ne mbetemi gjithashtu të përkushtuar për të bashkëpunuar për të garantuar sigurinë e gazetarëve, si edhe qasjen në informacion të besueshëm, përmes shtypit të lirë, të pavarur, pluralist dhe të larmishëm, duke zbatuar standardet ndërkombëtare”, u shpreh Nikolla.

Ribeiro e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe vuri në dukje vullnetin e OSBE-së për të bashkëpunuar për përmirësimin e legjislacionit shqiptar për median, në zbatim të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, standardeve të BE-së dhe OSBE-së, si edhe duke harmonizuar nevojën publike, legalitetin e proporcionalitetin, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.