Kushi: Asnjë iniciativë që cenon autonominë e Akademisë së Studimeve Albanologjike

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi vizitoi sot Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku u prit nga rektori, prof. dr. Luan Përzhita.

Rektori Përzhita e prezantoi ministren me Senatin e ri dalë nga zgjedhjet e 21 korrikut dhe bëri një sintezë të gjendjes aktuale të këtij institucioni të lartë të kërkimit shkencor nën varësinë e Ministrisë së Arsimit.

Në fokus të diskutimit ishin disa kërkesa që profesor Përzhita i parashtroi ministres.

Ai kërkoi që ASA të ketë një status special si institucion kërkimor, i integruar me arsimin e lartë. Po ashtu, Përzhita kërkoi që ASA-s t’i kthehen hapësirat e godinës që i janë marrë në vitin 2013 nga ish-Ministria e Integrimit, gjë për të cilën Qendra e Studimeve Albanologjike në atë kohë, pati bërë edhe një notë proteste.

Së treti, Përzhita kërkoi rritje të buxhetit për ruajtjen dhe restaurimin e qindra-mijëra objekteve (filmime, regjistrime etj.), pasuri kombëtare nën administrimin e ASA-s.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi garantoi rektorin Përzhita dhe Senatin e ri, se ministria që ajo drejton dhe qeveria që ajo përfaqëson “nuk do të ndërmarrë asnjë iniciativë që cënon autonominë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bazë të ligjit “Për Arsimin e Lartë” që garanton pikërisht autonominë e insitucioneve të kërkimit shkencor”.

Ajo theksoi se kjo autonomi është e përligjur edhe në sajë të produktit shkencor që stafi akademik i ASA-s ka dëshmuar në këto 14 vite të ekzistencës së saj, me botimet, konferencat ndërkombëtare, praktikën universitare, po edhe me atë pasuri të rrallë muzeale që vetë ministrja pa gjatë vizitës së sotme në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e nëndheshme ku ruhen në standarde evropiane rreth 44 mijë objekte arkeologjike në gjendje për t’u ekspozuar.

Pjesë e këtij diskutimi ishte edhe kërkesa që Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë për kthimin e instituteve të albanologjisë në varësi të Akademisë së Shkencave, çështje që është rihapur edhe në debatin publik.

Për sa i takon kësaj kërkese, profesorë dhe studiues të pranishëm në takim, si Aurel Plasari, Afrim Krasniqi, Nebi Bardhoshi, Hamit Kaba, Valter Memisha etj., i bënë me dije Ministres së Arsimit se sa e rëndësishme është pavarësia e ASA-s kështu siç është, sot e 14 vite, si e vetmja strukturë që ka për mision studimin shkencor të historisë, kulturës e trashëgimisë së kombit shqiptar.

“Jemi me ju në çdo vendim që do të ndërmarrim për statusin aktual dhe të ardhmen e këtij institucioni”, tha ministrja Kushi.

Ministria e Arsimit dhe Sportit pret ndërkohë propozimet konkrete nga ASA dhe bashkëpunimin e saj për kërkesat e parashtruara më lart dhe për ndryshimet që do të duhet të bëhen në ligjin “Për Shkencën”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.