Dogana rrit bashkëpunimin me autoritetet britanike në luftën ndaj trafiqeve

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli zhvilloi një takim ministren e Jashtme të Anglisë, Wendy Morton, e cila ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare.

Gjatë këtij takimi, ku të pranishëm ishin dhe drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Pirro Vengu, dhe drejtori i Policisë Kufitare dhe Emigracionit, Eduart Merkaj, u theksua rritja e bashkëpunimit me partnerët dhe fuqizimi i kontrollit kufitar.

Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, vlerësoi mbështetjen e deritanishme për administratën doganore, nga autoritete britanike, dhe sidomos përfaqësuesit e Border Force International.

Kreu i Doganës Shqiptare theksoi gjatë këtij takimi, se “një rëndësi të veçantë për strukturat Doganore gjatë gjithë punës së tyre është bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë sidomos në fuqizimin e kontrollit kufitar”.

Gjithashtu, Gazheli e njohu ministren britanike me punën e Administratës Doganore Shqiptare, e cila gjatë viteve të fundit ka rritur kontrollet, jo vetëm në Portin e Durrësit, por në të gjitha pikat kufitare duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë ligjzbatuese vendase dhe ato homologe.

Ministrja Morton vlerësoi rolin e Doganës në bashkëpunimin me strukturat britanike.
Vetëm pak kohë më parë në kuadër të bashkëpunimit Autoritetet e Border Force International i dhuruan Administratës Doganore Shqiptare tre pajisje kontrolli “Agilent”, në funksion të luftës kundër trafiqeve të paligjshme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.