BRUKSEL – BE: Një miliard euro ndihma për Afganistanin

BRUKSEL, 12 tetor /ATSH-ANSA/ – Komisioni Evropian njoftoi financimin e një miliard eurove ndihmë për popullsinë afgane.

”Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mënjanuar një kolaps serioz humanitar dhe socio-ekonomik në Afganistan. Dhe duhet ta bëjmë shpejt”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

”Komuniteti ndërkombëtar duhet të gjejë mënyra për të injektuar para’ drejtpërdrejt në ekonominë e Afganistanit dhe për të shmangur kolapsin e tij total”, ishte apeli i nisur nga sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres përpara samitit të jashtëzakonshëm të G20-s për Afganistanin, i kryesuar nga Italia.

Me ardhjen e talebanëve në pushtet, institucionet financiare ndërkombëtare kanë ngrirë aksesin në fonde, bankat afgane nuk kanë para’, punonjësit afganë nuk janë paguar dhe çmimet e ushqimeve janë rritur.

“Kriza po prek të paktën 18 milionë banorë, gjysmën e popullsisë së vendit”, tha Guterres.

“Unë i bëj thirrje botës të ndërmarrë veprime dhe të injektojë likuiditet në ekonominë afgane për të shmangur kolapsin”, theksoi ai./  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.