Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar po zgjerohet

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti ministren e Mbretërisë së Bashkuar për Evropën dhe Amerikat, deputeten Wendy Morton, e cila ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare.

Kryetarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin dypalësh gjatë viteve të fundit, konkretizuar në disa vizita të nivelit të lartë, dhe vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë në fushën e drejtësisë, sidomos ndihmën e qeverisë britanike  për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, imigracionit të paligjshëm dhe avancimin e reformave ekonomike.

“Reforma e suksesshme në drejtësi po vazhdon të avancojë. Aktualisht ka lindur nevoja e zgjatjes së mandatit të organeve të Vetingut dhe ne kemi besim se për këtë çështje do të kemi edhe mbështetjen e opozitës. Me opozitën do të bashkëpunojmë edhe për avancimin dhe thellimin e reformës zgjedhore dhe reformave të tjera. Unë jam e vendosur për të ndërtuar një klimë të re të bashkëpunimit me opozitën”, nënvizoi Nikolla.

Ministrja Wendy Morton uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe e falënderoi për vlerësimin dhe vullnetin e Shqipërisë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh me Mbretërinë e Bashkuar.

Bashkëpunimi e mbështetja do të vazhdojë, sidomos për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar etj.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version