Sfida ndaj Polonisë, Reja: Do të luajmë shanset deri në fund 

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit përballet nesër në orën 20:45 me Poloninë në sfidën e vlefshme për grupin I të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.

Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja u shpreh në një konferencë për mediet nga Durrësi se, “përqendrimi i skuadrës në këtë ndeshje duhet të jetë shumë i lartë dhe të mos bëjmë asnjë gabim. Ideja jonë ka qenë për të pasur një skuadër që imponon lojën e saj ndaj kundërshtarit, duke mos u mbrojtur siç mund të ketë bërë Shqipëria në të shkuarën. Por duke e nisur aspektin mbrojtës që në sulm. E kam thënë shpesh që sulmuesit janë mbrojtësit tanë të parë. Kemi bërë presing për 90 minuta, kemi bërë paraqitje shumë të mira, duke marrë dhe rezultate. Kjo është ADN e kësaj skuadre, fizionomia. Kemi këtë stil loje tashmë dhe rezultatet na japin të drejtë”.

Sa i përket Polonisë, Reja tha se, “ka lojtarë shumë të rëndësishëm, shumë kualitativë që luajnë në klubet më të mira të Evropës dhe është një nga kundërshtarët me nivel më të lartë që kemi pasur përballë në këtë periudhë”.

“Tashmë jemi një ekip i vërtetë. Pothuajse të gjithë lojtarët e grumbulluar kanë luajtur vazhdimisht. Kanë kontribuar të gjithë në këto eliminatore. Edhe kur kemi pasur mungesa, ata që i kanë zëvendësuar kanë luajtur shumë mirë. Për ndeshjen e nesërme duhet të përqendrohemi dhe të mos bëjmë asnjë gabim”, tha Reja.

I pyetur nëse ka besim tek kualifikimi në Botëror, Reja tha se, “jemi rritur shumë, kemi punuar për këtë, për të arritur objektiva të rëndësishëm. Djemtë kanë punuar shumë e mirë, kanë besuar te puna. Ndaj tani kemi mbërritur këtu, kemi dashur të jemi në konkurrim me të gjithë deri në fund, që të luanim deri në fund shanset dhe kështu është”.

“Kjo është meritë e djemve se kanë bërë gjëra të rëndësishme. Edhe unë e dija që ishte një grup i vështirë se në Hungari kishte treguar gjëra të rëndësishme, Polonia ka lojtarë të rëndësishëm, nëse jemi këtu, është me meritë, kjo është e rëndësishme se për të arritur në këtë pikë kemi bërë rezultate. Kjo skuadër mund të bëjë gjithçka, edhe mund të humbasim, por kemi mundësi të përballemi me këdo. Edhe unë kur u hodh shorti thashë “jo”, por ja ku jemi, mund t’ia dalim dhe nuk është rastësi”, u shpreh Reja.

I pyetur nëse Armando Broja do të luajë si titullar ndaj Polonisë, Reja u shpreh se, “unë kam vendosur titullar Brojën në shumë ndeshje, edhe në Kazakistan. Ka luajtur si titullar por nuk ka pasur atë rendiment, se ka një rendiment më të mirë kur lëshojnë skuadrat e tjera, ai arrin të shprehë plotësisht potencialin se ka shpejtësi dhe mbi të gjitha bën gol. Nuk është e lehtë. Ai e ka si karakteristikë të gjuajë në portë. Por nuk di nëse nga fillimi kur skuadrat janë të gatshëm edhe fizikisht të japin pak, eksperiencat e mëparshme ma kanë dhënë këtë bindje. Nuk e di ende nëse është nga fillimi, se nuk e di si mund të reagojë. E kam menduar opsionin si titullar, por ende është për t’u shqyrtuar. Po ta dija që Broja bën gol, do ta fusja në 3 minuta e fundit, se nuk ka kohë kundërshtari për të reaguar dhe do të zgjidhnim problemet tona”.

Ndërsa portieri dhe kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha, i pyetur nëse ndihet e njëjta ambicie si në kohën e eliminatoreve të Evropianit 2016.

“Jemi të vetëdijshme për situatën tani. Kjo varet dhe nga ndeshja e nesërme. Pasi nëse fitojmë nesër shkojmë përpara. Dhe ende nuk kemi bërë gjithçka. Atmosfera është e mirë dhe jemi të fokusuar në ndeshjen e radhës. Edhe po të fitojmë nesër kemi ende dy ndeshje për të zhvilluar. Në Botëror është më e vështirë për t’u kualifikuar”, tha Berisha.

Ai shtoi se, “presioni nuk duhet të jetë mbi ne, por tek Polonia, pasi ne kemi bërë shumë mirë deri tani”.

Por, shtoi ai, “ndeshja e nesërme ka një domethënie të madhe për të gjithë çunat”.

“Të japim gjithçka nga vetja jonë. E dimë që po përballemi me një ekip jashtëzakonisht të fortë. Në ndeshjen e parë kundër tyre kemi gabuar dhe duhet të vetëdijshëm që të bëjmë sa më pak gabime dhe kemi kualitet në ekip dhe mund ta fitojmë lojën”, tha Berisha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.