Protesta e dytë kundër rritjes së çmimeve në Tiranë

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Aktivistë të shoqërisë civile dolën pasditen e sotme në rrugën para Kryeministrisë në protestën e dytë kundër rritjes së çmimeve.

Protestës iu bashkuan edhe qytetarë të Tiranës, të cilët protestuan kundër rritjes së çmimit të bukës, ushqimeve të shportës dhe karburantit.

Aktivisti i shoqërisë civile, Adriatik Lapaj u shpreh se qytetarët duhet të dalin në protestë për veten e tyre, ndërsa i bëri thirrje politikës që të reflektojë dhe reagojë.

“Ka pasur vetëm një deklaratë në lidhje me çmimin e energjisë që nuk do rritet për konsumatorët dhe bizneset e vogla. Ndryshe nga sa ishte thënë në fillim. Kjo nuk mjafton, pasi duhen masa për biznesin e vogël dhe atë të madh, pasi produktet që ata prodhojnë reflektojnë në çmimin në treg”, u shpreh Lapaj.

“Unë kam në dorë përpjekjen time të sinqertë. Nuk iki nga ky shesh derisa të kemi reagim edhe për këto pikat e tjera dhe politika ti vërë gishtin kokës”, tha Lapaj.

Edhe sot protestës së qytetarëve kundër rritjes së çmimeve i është bashkuar aktori i humorit, Florian Binaj.

“Të gjithë e duam Shqipërinë në Evropë, por vetëm çmimet e larta i kemi si Evropa”, tha Binaj.

“Sot do të doja të ishin të rinj dhe të reja dhe mos ta shikonin protestën nga Instagram-i. U bëj thirrje atyre që nuk kanë ardhur të vijnë, se nuk u ulen ndjekësit në Instagram nëse proteston për padrejtësitë”, tha aktori i humorit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.