Krifca: Pastrimi i kolektorit në Korçë, mbron 10 mijë ha të mbjella


TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Investimi në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit në bujqësi, i vijnë në ndihmë fermerëve dhe mbrojtjes së prodhimit bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca inspektoi ecurinë e punimeve për pastrimin e kolektorit të Sovjanit, në rrethin e Korçës, i cili mbulon një sipërfaqe, mbi 10 mijë hektarë tokë të mbjella me kultura bujqësore.

Krifca tha se, ky kolektor grumbullon të gjithë ujërat e fushës së Maliqit dhe i shkarkon në lumin e Devollit, duke bërë të mundur kullimin e kësaj fushe që bart potencial të lartë në prodhimin bujqësor të kësaj zone.

Ministrja bëri të ditur se kolektori është pastruar së fundmi, pasi uji kthehej mbrapsht dhe ka qenë një punim emergjent, pasi është pjesa fundore që derdhet në lumë.

Krifca u shpreh se, ekskavatorët po punojnë për të hequr pritat në kolektor, pasi fermerët i ngrenë ato gjatë verës dhe në dimër hiqen.

Në një takim me institucionet përgjegjëse për infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e strukturave të ujitjes dhe kullimit, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca kërkoi gatishmërinë totale për operativitetin e secilës strukturë në shërbim të banorëve, bizneseve, fermave dhe territorit në zonat rurale, për çdo situatë problematike të reshjeve.

Krifca, gjithashtu u ka bërë thirrje të gjitha bashkive, për bashkëpunim, në mënyrë që këto situata të menaxhohen sa më mirë, si dhe të gjitha strukturave, që të jenë të angazhuara në terren, për të siguruar mbarëvajtjen e situatës.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.