Drejtori Ekzekutiv i Pfizer në Tiranë, Rama: Mirënjohje, na hapi derën në momentin më të vështirë

TIRANË, 11 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori Ekzekutiv i “Pfizer”, Albert Bourla, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, ishin sot në qendrën e vaksinimit antikovid në “Air Albania”.

Rama tha se “kjo është një ditë e veçantë për procesin e vaksinimit sepse kemi nderin dhe kënaqësinë të mikpresim shefin e madh të ‘Pfizer’, i cili mund ta them me shumë nderim që është bërë një mik i yni, i Shqipërisë”.

Kryeministri theksoi se “ai na hapi derën në momentin më të vështirë kur ne shkuam në Nju-Jork për të trokitur në derën e ‘Pfizer’ në kushtet kur nuk kishim asnjë perspektivë të qartë, pasi gjithë vendet e rajonit nuk u përfshinë në skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave”.

“Folëm gjatë në Nju-Jork. Edhe pse nuk na premtoi aty për aty që çështja do të zgjidhej, na dha fjalën se do të bënte gjithçka për ta zgjidhur. Falë angazhimit të tij ne mundëm të marrin vaksinat më parë sesa gjithë të tjerët”, tha Rama.

Kryeministri i shprehu shefit të “Pfizer” edhe një herë, atë që e ka shprehur në mënyrë të përsëritur, mirënjohje pa fund për këtë ndihmë në mbrojtje të jetës së qytetarëve.

Drejtori Ekzekutiv i “Pfizer”, Albert Bourla, tha se “dua të falënderoj Kryeministrin në radhë të parë për nderin që po më bën duke ndenjur me mua sot, si dhe për ftesën dhe ardhjen time në Shqipëri. Natyrisht që unë e njihja Kryeministrin jo vetëm se ai është një udhëheqës shumë i njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe në përgjithësi në Evropë. Kam pasur kënaqësinë ta takoja atë vitin e kaluar në kohën kur sapo kishte filluar pandemia kur ai vullnetarisht erdhi në Nju-Jork për të diskutuar furnizimin me vaksina për vendin e tij”.

“Më bëri shumë përshtypje, se ishte një kohë kur askush nuk të vinte për vizitë dhe askush nuk udhëtonte. Ishte kohë e vështirë. Ne i ofruam të bënim një bisedë në video, por ai tha se dua të të takoj personalisht. Unë e vlerësova shumë këtë. Dhe ne hapëm zyrat në Nju-Jork. Është e qartë se ai merakoset për vendin e tij, por ai kishte edhe një plan si të vaksinonte popullin e tij”, – theksoi Bourla.

Drejtori i “Pfizer” u shpreh se, “për mua kjo ishte shumë e rëndësishme për të kuptuar se vaksinat do të përdoren te qytetarët dhe ne ishim të lumtur që mund të ndihmonim Shqipërinë”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.