AKPA hap aplikimet për mbështetjen me grante

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Programi i vetëpunësimit mbështet sipërmarrësit e rinj me grante  deri në 500 mijë lekë për të qenë të suksesshëm në biznesin e tyre.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bën të ditur se ka hapur aplikimet për të gjithë punëkërkuesit që kanë një ide biznesi dhe duan të vetëpunësohen, duke ngritur një sipërmarrje të mirëfilltë.

Sipas AKPA-së, punëkërkuesit me të drejtë aplikimi janë ata individë të papunë, të regjistruar në strukturën vendore të punësimit dhe që kanë një ide biznesi.

Punëkërkuesit duhet të paraqesin në një prej 36 zyrave rajonale të AKPA-së, në njësitë vendore ose të ngarkojë në mënyrë elektronike dokumentet si: Formularin e aplikimit; Vërtetim që personi nuk ka detyrime tatimore; Kopje të dokumentit identifikues. Fondi i nxitjes së punësimit mbulon shpenzimet për: Grantin për hapjen e biznesit të ri; Vlerësimin e planit të biznesit.

Programi i Vetëpunësimit për vitin 2021 do të zbatohet në të gjithë vendin. Nëpërmjet trajnimit mbi vetëpunësimin dhe mbështetjes financiare programi asiston në transformimin e ideve në biznese të qëndrueshme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.