Rama për Radio Televizionin e Spanjës, RTVE: Europa është besimi ynë dhe e ardhmja në BE zgjedhja jonë e lirë

TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një intervistë për Radio Televizionin e Spanjës RTVE, se “për Shqipërinë Europa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Europian është zgjedhja jonë e lirë”.

Kryeministri foli ndër të tjera për vizitën e tij në Spanjë, vizita e parë zyrtare e këtij niveli, si dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

I pyetur mbi ndikimet e Rusisë dhe Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Rama tha se “Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga kufinj evropianë, jemi një organ i trupit të Europës dhe njëkohësisht jemi të izoluar nga po ky trup, diçka që nuk ka kuptim dhe nuk është gjëja më e përshtatshme as për sigurinë dhe as për të ardhmen e Europës që kjo pjesë e trupit, të mos jetë totalisht e integruar po të jetë një zonë gri si të thuash, ku aktorë të tjerë mund të zhvillojnë lojën e tyre”.

“Ne, Shqipërinë të paktën, nuk e shqetësojnë këto influenca të mundshme pasi për ne Europa është besimi ynë dhe e ardhmja në Bashkimin Europian është zgjedhja jonë e lirë”, tha Rama.

I pyetur mbi hapat që po hedh Shqipëria për t’ju përshtatur kërkesave të Brukselit, Kryeministri Rama tha se “mund të them se tashmë nuk flitet më për çfarë duhet të bëjmë ne, por për mënyrën si kanë vendosur të punojnë ata me ne dhe në rajon”.

“Sigurisht që jemi vende të cilët do të duhet të bëjmë shumë më shumë për të përmbushur të gjitha kushtet për të qenë anëtarë të Bashkimit Europian. Por e meritojmë të hedhim tashmë hapa të tjerë përpara dhe të fillojmë negociatat formale. Perceptimet kanë të bëjnë me të shkuarën, me nje informacion që ende nuk është fluid, i rrjedhshëm. Por mund t’ju them se tashmë po e thonë të gjithë, edhe një numër përherë e më i madh turistësh spanjollë që vijnë në Shqipëri, se ka një ndryshim të madh midis asaj që perceptohet nga larg për Shqipërinë dhe realitetit të saj. Sigurisht që duhet të përparojmë më tej me reformat tona për modernizim, me përmirësimin e qëndrueshëm të ekonomive dhe shoqërive tona, me fuqizimin institucional dhe, në fund të fundit, të shkojmë drejt një mjedisi më të mirë ekonomik dhe social rajonal por këto janë sfidat e vendeve që janë në rrugëtim e sipër”, tha Rama.

Lidhur me vizitën në Spanjë, Kryeministri tha se beson se ka një potencial të madh në marrëdhëniet tona të ndërsjella.

“Kam një admirim të madh lidhur me çka Spanja ka arritur, si një model që duhet ndjekur, për mënyrën se si një ka mundur ta kapërcejë një të kaluar aq të errët dhe të shndërrohet në një shembull të shkëlqyer për vendet e tjera. Dhe, nga ana tjetër, do të doja të vija në dukje faktin se kryeministri Sanchez, në të shkuarën i ka njohur nga afër periudhën e tmerrshme të historisë konflikteve në rajonin tonë dhe e ka ndjeshmërinë e duhur për ta mbështetur ndryshimin. Në fakt ai kërkon që Spanja të jetë më e pranishme në zonën tonë dhe ky është një lajm shumë i mirë për ne”, tha Rama.

Lidhur me tensionet Kosovë-Serbi, Kryeministri tha se “tensionet janë pjesë e atij procesi”. “Nuk mund të presim që një proces paqeje të përparojë qetësisht dhe pa tensione. Këtu lajmi i mirë është që tensionet lindin po edhe treten pasi të dy palët sidoqoftë komunikojnë dhe tentojnë të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për njerëzit. Pra nuk është më si në të shkuarën. Ka një diferencë të madhe pasi tashmë kemi bashkëpunim rajonal, me takime e mbledhje të shumta, vajtje-ardhje, samite të çdo lloji. Sigurisht që Kosova është problemi i fundit, ende i hapur dhe i pazgjidhur nga shpërbërja e Jugosllavisë e pa dyshim, njohja e Kosovës si shtet sovran e i pavarur nga Serbia është kapitulli i fundit i historisë plot dhimbje të shpërbërjes së Jugosllavisë”, tha ai.

Ndërkohë, lidhur me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës ende nga 27 vende, ndërmjet tyre dhe Spanja, Kryeministri Rama tha se “është e vërtetë, por e dimë fare mirë se pozicioni i Spanjës nuk ka fare të bëjë me asnjë problem që ka lidhje me shqiptarët apo me vetë Kosovën, por ka të bëjë me historinë e me problemet e veta të brendshme”.

“Dakord, por duhet të jemi në fakt shumë të qartë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj krahasimi të mundshëm ndërmjet problemeve të brendshme të Spanjës, lidhur me lëvizjet independentiste apo separatiste dhe ndarjes së Kosovës nga Serbia”, tha ai./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.