Kushi: Reformat në arsimin e lartë i kanë bërë universitetet më konkurruese

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ditën e sotme ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit për vitin 2021 të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, ndërsa ka përshëndetur studentët e diplomuar, prindërit e tyre, pedagogët dhe stafin drejtues të universitetit.

Ministrja Kushi uroi përzemërsisht të gjithë studentët e pedagogët për punën, përkushtimin dhe gjithë sakrificat që sot kurorëzohen me këtë moment kaq të bukur e të paharrueshëm në jetën e tyre.

Duke iu drejtuar të rinjve, ministrja Kushi thekson faktin se duke filluar që sot, njerëzit dhe shoqëria do t’i vlerësojë ata jo thjesht nga kjo diplomë, por edhe nga cilësia e shërbimit të tyre, rezultatet e punës, etika, integriteti dhe aftësitë që kanë marrë në këtë universitet.

“Në rrugëtimin tuaj të ri në tregun e punës të jepni më të mirën tuaj, të shërbeni me devotshmëri e profesionalizëm, që të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë një vend më të zhvilluar dhe jetën e njerëzve më të lumtur”, tha Kushi.

Ndërsa shprehu besimin se studentët e diplomuar do të mund të konkurrojnë denjësisht me bashkëmoshatarët e tyre në Europë dhe në botë, Kushi cilëson gjithashtu se reformat e ndërmarra së fundmi në arsimin e lartë i kanë bërë universitetet tona më konkurruese jo thjesht mes tyre, por edhe me universitetet e huaja.

“Megjithatë, jemi plotësisht të vetëdijshëm që duhet të punojmë shumë më tepër për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë. Prandaj së fundmi, kemi ndërmarrë disa politika të rëndësishme në bashkëpunim me universitetet për projekte të reja dhe programe të përbashkëta me universitetet më prestigjioze në botë, shkëmbime studentësh e pedagogësh, si dhe investime infrastrukturore, me qëllimin final që vlera e diplomës së studentëve tanë të ketë vërtetë vlerë”, u shpreh Kushi. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.