Samiti BE-Ballkan, Rama takon Borrell: Shqipëria, peng në konfliktin e hapur nga Bullgaria me Maqedoninë e Veriut


TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në takim në Abu-Dabi me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

“Takimi me Josep Borrell, kryediplomatin e BE-së dhe ndërmjetësuesin e bisedimeve Kosovë-Serbi, me të cilin folëm për samitin e javës së ardhshme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për panoramën e situatës në rajon, si edhe për konfliktin e hapur nga Bullgaria me Maqedoninë e Veriut, ku është marrë peng edhe Shqipëria”, shpreh Rama për takimin.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, ndau një foto nga takimi me Kryeministrin Edi Rama.

“Takova Kryeministrin Edi Rama në WPC 2021. Ne diskutuam për zgjerimin, samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën për rezultate konkrete. Me rëndësi të ruajmë vrullin e reformës në rajon si dhe besueshmërinë e BE-së”, tha Borrell, duke informuar mbi këtë takim.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, si i ftuar nderi në “World Policy Conference”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.