Agjencia Telegrafike Shqiptare

Tomini: Po diskutohet doza e tretë e vaksinës për personat mbi 65 vjeç

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini deklaroi sot në mbrëmje se Komiteti Teknik i Ekspertëve po diskuton aplikimin e një doze të tretë vaksine te personat mbi 65 vjeç.

E ftuar në një studio televizive, Tomini tha se “aktualisht është oferta më e madhe se kërkesa, pra ka doza vaksine”.

“Sigurisht që tentohet për të rritur mbulesën vaksinale që është 43% me një dozë dhe 35% me të dyja dozat. Ndërkohë, deri në fund të dhjetorit kemi një kontratë të re për sa i përket ‘Pfizer'”, tha ajo.

Tomini theksoi se “Komiteti Teknik ka hedhur mendime dhe diskuton përkundrejt alternativave të një doze të tretë mbi moshat 65 vjeç”.

Po ashtu, ajo tha se “protokolle të ndryshme të aplikuara në botë kanë bërë kombinimin e vaksinave të llojeve të ndryshme”. “Edhe Turqia pas dy dozave Sinovac ka aplikuar Pfizer”, tha Tomini, ndërsa shtoi se “në Shqipëri asnjë vaksinë nuk ka shkuar dëm deri në këto momente”. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version