Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sfidat e zbatimit të procesit të Fiskalizimit

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Sfidat e zbatimit të procesit të Fiskalizimit ishin në fokus të takimit të zhvilluar mes përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si dhe Dhomës Ekonomike të Gruas.

Drejtore e Drejtorisë së Proceseve të Biznesit pranë DPT, Rozana Çelmeta informoi anëtarët e Dhomës rreth çështjeve kryesore të Fiskalizimit.

Anëtarët diskutuan edhe mbi çdo problematikë apo paqartësi të hasur deri më tani.

DPT bën të ditur se do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme ndaj biznesit për zbatimin e kësaj reforme, duke i informuar apo këshilluar për çdo çështje lidhur me Fiskalizimin.

Nga 1 janari deri më tani janë përfshirë në procesin e Fiskalizimit 32,628 biznese, të cilat kanë lëshuar mbi 38 milionë fatura. Nga këto, 14,953 janë biznese të mëdha dhe 17,430 janë biznese të vogla.

Më 1 janar 2021 nisi faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsistonte në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G); më 1 korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B); më 1 shtator nisi faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version