Rikthim në identitet të godinës 6-katëshe e arkitektit Maks Velo


TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku, pas mbledhjes së qeverisë tha se janë marrë një sërë vendimesh në lidhje me shpronësimet.
Balluku tha se do të vijojnë punimet në unazën lindore të qytetit të Kavajës dhe unazën e Korçës, e po ashtu, është bërë shpronësimi i një zone, ku pritet të kalojë TAP.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka depozituar disa projektvendime, kryesisht shpronësime. U miratua vendimi për shpronësimet që i hapin rrugën punimeve në unazën lindore të qytetit të Kavajës duke u krijuar në këtë mënyrë akses banorëve për të dalë në autostradë dhe shfryn ngarkesën e trafikut. Gjithashtu kemi aprovuar sot shpronësimet për të vijuar me punimet në unazën e Korçës. Kjo rrugë ka rëndësi jo vetëm për lehtësimin e trafikut, por edhe harmonizon pjesën ku kalon me pjesën tjetër të qytetit të rikonstruktuar. U miratua vendimi për shpronësimin e një pjesë ku kalon gazsjellësi TAP. Kemi bërë shpronësimin e sheshit qendror në fshatin e Bogës, Malësi e Madhe”, tha ministrja.

Po ashtu, ministrja tha se është marrë vendim që një godinë 6-katëshe në Tiranë e arkitektit Maks Velo, do të rikthehet në identitet pas shpronësimit.

“Kemi aprovuar edhe një shpronësim të rëndësishëm në Tiranë. Bëhet fjalë për një godinë 6-katëshe, e cila është një godinë e arkitektit Maks Velo, e fillimit të viteve ’70, por gjatë periudhës së tranzicionit ka pasur shtesa të paligjshme. Ne e konsiderojmë një vepër të rëndësishme arkitekturore dhe që duhet ruajtur. Për këtë arsye me shpronësimet që do të kryhen do të ketë mundësi për rehabilitimin e fasadës së asaj ndërtesës dhe kështu Bashkia e Tiranës do të kthejë atë vepër në identitet për t’u dhënë mundësi vizitorëve dhe qytetarëve të shikojnë këtë vepër të arkitektit Maks Velo ashtu si ka qenë në gjenezën e saj”, tha Balluku.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.